Dhjetori 2024 me shpenzime rekord, 245 projekte të hapura në minutë të fundit rëndojnë buxhetin
Dhjetori 2024 u shndërrua në muajin e shpenzimeve masive, duke përmbysur ekuilibrin fiskal dhe duke nxjerrë në pah dobësi serioze në planifikimin buxhetor.
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi zbatimin e buxhetit 2024, menaxhimi i financave publike është shoqëruar nga luhatje të forta të likuiditeteve, të cilat kanë varionuar nga 40 deri në 137 miliardë lekë, duke treguar administrim të dobët të mjeteve monetare. Për më tepër, konvertimet e panevojshme të valutave kanë krijuar kosto shtesë për buxhetin e shtetit në një kohë kur pasiguria fiskale është rritur ndjeshëm.
Përqendrim i pazakontë i shpenzimeve në fund të vitit
Të dhënat e auditimit tregojnë se dhjetori është kthyer në muajin ku janë grumbulluar pjesa dërrmuese e shpenzimeve, si korente ashtu edhe kapitale. Shpenzimet korente kanë qenë pothuajse dy herë më të larta se mesatarja mujore, ndërsa investimet kapitale janë rritur deri në pesëfish. Vetëm gjatë periudhës shtator–dhjetor janë detajuar për herë të parë 245 projekte investimi me vlerë 14.8 miliard lekë, një pjesë e të cilave është përdorur për shlyerje detyrimesh të prapambetura. Ndërkohë, në dhjetor janë mbyllur 323 projekte të nisura më parë, ndërsa dhjetëra projekte të tjera kanë qenë aktive për vetëm dy deri në tre muaj.
150 projekte me realizim zero edhe pas Aktit Normativ
Pavarësisht ndryshimeve buxhetore të miratuara me Aktin Normativ nr. 5 më 19 dhjetor, rreth 150 projekte me financim të brendshëm rezultojnë me realizim zero. Mungesa e masave për mbylljen e këtyre projekteve që nuk kanë avancuar ka sjellë pavlefshmëri të fondeve të planifikuara, duke krijuar barrë të re financiare për vitet në vijim.
Suficiti i vitit “zhduket” në dhjetor
Përqendrimi jonormal i shpenzimeve në muajin e fundit ka përthithur gjithë suficitin fiskal të periudhës janar–nëntor, duke e kthyer buxhetin vjetor në deficit me rreth 17 miliardë lekë. Vetëm në dhjetor të ardhurat ishin 62.6 miliard lekë, ndërsa shpenzimet u ngjitën në 152.1 miliard lekë, që përfaqësojnë 21% të gjithë shpenzimeve vjetore.
Risk i lartë fiskal dhe planifikim i dobët
KLSH vëren se devijimi i fortë në dhjetor lidhet me planifikimin e mangët, orientimin e shpeshtë të fondeve drejt nevojave të reja pa shlyer detyrimet e mbartura dhe tejkalimin e tavaneve buxhetore. Ky fenomen ka rritur ndjeshëm riskun fiskal të vendit, duke ekspozuar financat publike ndaj pasigurive të krijuara nga menaxhimi jo i qëndrueshëm i likuiditeteve, angazhimet kontraktuale përtej hapësirës së miratuar dhe zbatimi i dobët i planifikimit afatmesëm buxhetor.